Telegrafi

Ambasadori britanik i shqetësuar për plagosjen në Shtërpcë: Mirëpres arrestimin e shpejtë të të dyshuarit

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, është shprehur i shqetësuar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.

Në një reagim në Twitter, Abbott ka thënë se e mirëpret arrestimin e shpejtë të të dyshuarit.

“Isha i shqetësuar kur dëgjova për sulmin ndaj dy të rinjve serbë të Kosovës dhe mirëpres arrestimin e shpejtë të të dyshuarit. Të lënduarve iu uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar ambasadori britanik.

Dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur këtë të premte në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, pasi në drejtim të tyre është shtënë me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.

I dyshuari për këtë rast, A.K. i moshës 33 vjeçar, është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Për rastin ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai është shprehur thellësisht i brengosur për plagosjen e dy të rinjve.

“Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin, i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai ka deklaruar se njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti, të cilin e ka quajtur papranueshëm dhe të dënueshëm.

“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”. /Telegrafi/