Telegrafi

Ambasadorët e QUINT-it takojnë OJQ-të serbe për të cilat Bislimi i reagoi Lajçakut

Pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shprehu një sërë kritikash ndaj takimit të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, me një grup të komunitetit serb nga shoqëria civile, mediat dhe zyra e Avokatit të Popullit –këta të fundit janë pritur në takim edhe nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë.

Pamje nga takimi ka publikuar Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili i ka quajtur “partnerë të besueshëm”.

Lexo po ashtu Bislimi kritikon ashpër Lajçakun për qasje jo-neutrale në dialogun Kosovë-Serbi

“Ambasadorët e QUINT-it [SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia] dhe BE-së vlerësojnë mundësinë për t’u takuar sot me zëvendësin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës – të cilët janë partnerë të besueshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike për Kosovën”, ka shkruar Rohde në rrjetin social “X”.

Ky grup i serbëve, duke përfshirë zëvendësin e Avokatit të Popullit në Kosovë, Sërgjan Sentiq, Jovana Radosavljeviq dhe Miodrag Miliçeviq nga organizatat joqeveritare Iniciativa e Re Sociale dhe Aktiv, drejtorin e RTV-së lokale, Kim Isak Vorguçiq dhe Dragisha Mijaciqin nga grupi punues i Beogradit i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, u takuan me Lajçakun më 13 shkurt në Bruksel.

“Gjithmonë ndihmon kur dëgjohen zëra nga terreni”, ka shkruar Lajçak në një postim në rrjetin social X pas atij takimi.

Kësaj, zëvendëskryeministri i Kosovës u përgjigj duke njoftuar se në takimin me Lajçakun ishte një “delegacion i përbërë kryesisht nga organizata joqeveritare serbe nga Kosova, të cilat në mënyrë aktive dhe hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në sektorin ekonomik dhe në jetën sociale të Kosovës”. /Telegrafi/