Këngëtarja nga Shqipëria, Jonida Maliqi, do të ngjitet këtë javë në skenën e madhe të “Eurovision”-it.
Ajo do të interpretojë në gjuhën e saj amtare këngën “Ktheju Tokës”, me pretendimin për një përfaqësim sa më dinjitoz për të shkuar në finale.
Së fundmi, Jonida dhe stafi i saj kanë udhëtuar drejt Izraelit për të realizuar provat, teksa në një prej ditëve ata janë mirëpritur edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Izrael.
Ka qenë ambasadori Bardhyl Camaj ai që u ka uruar mirëseardhje në zyrën e tij, teksa i ka uruar Jonidës shumë fat dhe suksese në këtë garë, e cila sivjet zhvillohet në Tel Aviv të Izraelit.
Ka qenë kompozitorja e këngës, Eriona Rushiti, ajo e cila ka ndarë në rrjetin social Facebook disa fotografi nga ky takim.
“Pritje në Ambasadën Shqiptare, Izrael. Falënderim për Z. Ambasador Bardhyl Camaj dhe Znj. Sonila Vathi”, kanë qenë fjalët e saj.
Jonida përndryshe do të konkurrojë në natën e dytë gjysmëfinale të “Eurovision 2019”, e cila mbahet të enjten më 16 maj. /Telegrafi/