Site icon Telegrafi

Ambasada franceze përshëndet deklaratën për të pagjeturit, e cilëson thelbësore për pajtimin Kosovë-Serbi

Ambasada e Francës në Kosovë e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur nga delegacioni kosovar dhe serb më 4 prill në Bruksel me synimin e nënshkrimit të ardhshëm të deklaratës së përbashkët për personat e pagjetur.

Sipas kësaj ambasade, kjo çështje është thelbësore për pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.

“Në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe të ndihmuar nga Bashkimi evropian, ky është një hap konkret përpara i cili u mundëson familjeve të viktimave të shpresojnë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe më në fund të mund të mbyllin periudhën e zisë që ndonjëherë ka zgjatur më shumë se tridhjetë vjet”.

Kjo ambasadë ka bërë të ditur se Franca e mbështetë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), i cili punon me partnerët e tij kombëtarë për të gjetur, identifikuar dhe kthyer këta njerëz në familjet e tyre.

“Edhe këtë vit, një kontribut prej 100,000 euro do t’i dhurohet KNKK-së për t’i mundësuar atij të vazhdojë të kryejë misionin e saj humanitar. Kjo është thelbësore për pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tuhet në komunikatën e ambasadës franceze.

Lexo po ashtu Deklarata për të pagjeturit, Bislimi: Do të publikohet pas nënshkrimit nga Kurti dhe Vuçiq

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 4 prillit në Bruksel me ndërmjetësin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, pala kosovare dhe ajo serbe janë dakorduar për deklaratën për të pagjeturit dhe se e njëjta pritet të aprovohet në takimin e radhës ndërmjet dy liderëve.

“Pika e katërt që është diskutuar ka të bëjë me dakordimin e palëve për personat  e zhdukur me dhunë. Teksti aprovohet dhe publikohet nga liderët në takimin e radhës”, tha zëvendëskryeministri.

Ai bëri të ditur se kanë pasur vetëm një vërejtje në tekst dhe e njëjta është pranuar. /Telegrafi/

Exit mobile version