Ndonëse buxheti i ndarë nga Qeveria e Kosovës për Ministrinë e Bujqësisë këtë vit është dyfishuar, kjo ministri vazhdon të ketë numër të njëjtë të stafit, i cili nuk është i mjaftueshëm për implementimin efikas të këtyre skemave mbështetëse
Edhe pse kërkesa për rritje të numrit të punonjësve ishte ngritur disa herë nga ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi, ky numër nuk ka ndryshuar.
Kjo ka bërë që ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ta ndihmojë këtë Ministri, duke i shtuar stafit të mëparshëm edhe 5 punonjës në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, të cilët do të punojnë në sektorin e pagesave direkte dhe inspektim teknik.
Ministri Krasniqi u shpreh i kënaqur që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe po thellohen edhe më shumë, me ndihmën që kjo Ambasadë po I bën bujqësisë së Kosovës, si degë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të vendit.
Krasniqi tha se rritja e fondeve nuk ka pasuar edhe me rritje të stafit, gjë që do të ishte më e lehtë për këtë ministri në çdo aspekt, prandaj ndihma e ambasadës me punonjës të ri është e mirëseardhur.
“Ne sivjet kemi një dyfishim të buxhetit të bujqësisë, kemi një rritje jashtëzakonisht të madhe të fondeve për skemat mbështetëse, për fermerët e Kosovës, por që nuk është përcjell me rritjen e stafit të nevojshëm për implementimin efikas të këtyre skemave mbështetëse”, tha Krasniqi.
Kurse Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell, tha se roli i bujqësisë në zhvillimin ekonomik të Kosovës është i rëndësishëm.
Sipas tij, kjo do të ndihmojë në rritjen e numrit të punëtorëve dhe të sjell më shumë të ardhura për kosovarët.
Ministria e Bujqësisë ka pasur nevojë për numër më të madh të stafit, pasi që ka vetëm 50 punonjës në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, numër ky shumë i vogël krahasuar me vende të tjera, si Kroacia e cila në agjensionin e saj të bujqësisë ka më shumë se 400 punonjës. /kp/