Telegrafi

Ambasada amerikane në Moskë porosit qytetarët e saj: Largohuni menjëherë nga Rusia, mund të ketë hakmarrje

Shtetet e Bashkuara kanë porositur qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë, sepse ata kërcënohen me një lloj hakmarrjeje, domethënë agjencitë ligjzbatuese të vendit mund t’i ndalojnë ose ngacmojnë në mënyrë të pajustifikueshme.

“Qytetarët amerikanë që banojnë në Rusi duhet të largohen menjëherë nga ai vend. Jini veçanërisht të kujdesshëm ndaj arrestimeve arbitrare. Mos udhëtoni në Rusi”, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga ambasada amerikane në Moskë, raporton The Guardian.

SHBA ka paralajmëruar vazhdimisht amerikanët që të largohen nga Rusia. Paralajmërimi i fundit zyrtar i tillë u lëshua shtatorin e kaluar, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi mobilizimin e pjesshëm, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Ministria britanike e Mbrojtjes: Rusët po përballen me një dilemë të madhe në front

“Shërbimet ruse të sigurisë kanë arrestuar shtetas amerikanë me akuza të rreme, i kanë ndaluar dhe ngacmuar, u kanë mohuar trajtim të drejtë dhe transparent dhe i kanë dënuar në gjyqe sekrete ose pa prova të besueshme”, u tha nga ambasada.

“Autoritetet ruse zbatojnë arbitrarisht ligjet lokale kundër anëtarëve të organizatave fetare amerikane, kanë nisur hetime të dyshimta penale kundër qytetarëve amerikanë të përfshirë në aktivitete fetare”, thuhet krejt në fund të kumtesës. /Telegrafi/