Spekulimet janë shtuar për kalimin e mundshëm të Dani Alvesit te Manchester City, vetëm pas një sezoni të kaluar te Juventusi.
Braziliani u transferua te Bianconerët në verën e kaluar si lojtar i lirë nga Barcelona, mirëpo Zonja e Vjetër nuk i kishte dhënë kontratë afatgjate kur kihet parasysh se është fjala për një 34 vjeçar, ashtu që ai mendon të largohet.
Gonzalo Higuain i shtoi akoma më shumë thashethemet duke publikuar një video ku i thoshte lamtumirë mbrojtësit të krahut, mirëpo pastaj e fshiu atë.
Tash, goal.com raporton se Alves është shumë afër që të arrijë marrëveshje personale me Cityn ku do të ribashkohej me Pep Guardiolan.
Po ashtu, edhe Juve është në bisedime të përparuara me klubin anglez për të arritur marrëveshje rreth çmimit të lojtarit.
Chelsea dhe Manchester Unitedi janë dy klubet tjera që i kanë kërkuar shërbimet e Alves, por ai preferon të ribashkohet me Guardiolan. /Telegrafi/