Milot Rashica po bën mirë te Vitesse dhe kjo ka bërë që ai të tërheqë vëmendjen e disa klubeve.
Ndërkohë, që në lidhje me ofertat ndaj tij, është menaxheri i tij Altin Lala, ai që saktëson se ka interesime të shumta, teksa tregon edhe emrat e disa prej skuadrave.
“Në fakt ka shumë interesime, ka shumë klube që e vëzhgojnë dhe natyrisht gjithçka është në dorën e Vitesses. Megjithatë, Miloti nuk do të nxitohet dhe mendoj se është në të mirë të tij të shkojë në një klub ku të vazhdojë të rritet, të mësojë dhe të luajë”, ka deklaruar Lala në një intervistë të gjatë të dhënë për gazetën “Sport Ekspres”.
“Ka oferta nga shumë kampionate, edhe Anglia e Gjermania, edhe nga Holanda, ku Ajax dëshironte ta blinte që në janar, ndërsa tani interesohen edhe Feyenoordi e PSV-ja, por siç e thashë, duhet kujdes dhe pak durim”.
“Ajaxi një zgjedhje e mirë? Ajaxi është një klub perfekt për të rinjtë. Edhe financiarisht mund ta kënaqë Vitessen, sepse duhet pasur parasysh që ofertat brenda Holandës janë ndryshe nga ato prej Anglisë, për shembull, por Ajaxi është një emër i madh, që mund të ofrojë edhe lojtarë në këmbim, apo një përqindje në rastin e rishitjes”, ka përfunduar ish-kapiteni i Shqipërisë.