Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala ka folur rreth shumë çështjeve mbi futbollin, e në veçanti për yllin e Përfaqësueses së Kosovës dhe Werder Bremenit, Milot Rashica.
Emri i Rashicës ka qenë shumë i përfolur në afatin e verës dhe të dimrit, por një transferim i tij nuk u materializua, edhe pse pati shumë oferta.
I ftuar në emisionin “Zona Gola”, ish-lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala është shprehur rreth dështimit të transferimit të Rashicës te Milani.
“Rashica tani ka arritur formën siç ka qenë më përpara. Shumë skuadra e kanë ndjekur dhe kanë dashur ta marrin, por ky vit ka qenë pak I vështirë nga Covid-19 dhe nga forma e Werder”, ka thënë fillimisht Lala.
“Transferimi te Leverkuseni dështoi për pak minuta, ndërsa në fund të sezonit do të ketë ndryshime”.
“Kishte shumë gjasa që Rashica ta kalonte te Milani nëse Ragnick do të firmoste si trajner me kuqezinjtë, por kjo nuk ndodhi dhe Rashica nuk u transferua”, përfundoi ish-kapiteni i kombëtares shqiptare. /Telegrafi/