Telegrafi

Altin Dumani merr zyrtarisht detyrën si kreu i Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri

LSA

Këtë të hënë, Altin Dumani ka marrë zyrtarisht detyrën si kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në Shqipëri.

Gjatë prezantimit, në krah të Dumanit ishte dhe Arben Kraja, i cili e përfundoi mandatin pas 3 vitesh, si dhe Alfred Balla, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Gjatë prezantimit dhe marrjes së detyrës, Dumani u shpreh se prokurorët e SPAK-ut duhet të demostrojnë se janë të aftë të procedojnë penalisht çdo shkelës ligji, pavarësisht pozitës së tij.

“Pas këtyre 3 viteve, Prokuroria e Posaçme duhet të kalojë tashmë në një fazë tjetër dhe që është ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar. Kemi një prokurori e cila është në funksion të plotë, në përbërjen e së cilës jemi 17 prokurorë, kemi BKH-në funksionale.

Gjithashtu, kemi edhe diçka tjetër pozitive, që kemi fituar eksperiencë në këto 3 vite punë. Duke marrë në konsideratë këto rrethana, inkurajoj dhe nxis secilin prej jush, që të gjithë së bashku, duke punuar në grup si një skuadër e vetme, të demostrojmë se jemi të aftë të procedojmë penalisht çdo shkelës ligji, pavarësisht pozitës së tij”, theksoi ai ndër të tjera.

Dumani u zgjodh në krye në SPAK-ut më 16 dhjetor, ku mori 5 vota nga anëtarët e KLP-së. Ndërsa, kandidatët e tjerë, Edvin Kondili dhe Adnan Xholi, morën respektivisht, 4 dhe 1 votë.

Kur u pyet se pse vendosi që të jetë pjesë e SPAK-ut, Dumani u përgjigj duke thënë se ka lënë menjanë komoditetin e Prokurorisë së Apelit dhe do t’i përkushtohet luftës ndaj krimit.

Dumani njihet si “prokurori i pakompromis”. Një prej dosjeve më voluminoze dhe të bujshme ishte edhe ajo e operacionit të koduar “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, pas arrestimit të dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha. Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhër arreste. /Telegrafi/