Juventusi ka arritur një barazim në udhëtim te Interi në derbin italian 1-1.
Zonja e Vjetër ishte duke humbur gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, teksa e gjetën golin e barazimit në minutën e 89-të me penallti të konkretizuar nga Paulo Dybala.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka thënë se ky barazim ka peshë të madhe për skuadrën e tij.
“Barazimi ka peshë sepse erdhi pas një paraqitje të mirë. Në pjesën e dytë luajtëm edhe më mirë. Para barazimit kishim disa mundësi, situata ku mund të bënim më mirë. Kemi luajtur me më shumë besim se Interi”.
“Kjo është një pikë ë rëndësishme që na jep mundësinë që të kemi më shumë hapësira, ndonëse na duhet të fitojmë, që të rritim serinë e rezultateve pozitive e pastaj të mundohemi të shkurtojmë diferencën me ekipet kryesuese para ndalesës për kombëtaret”, tha Allegri.
Tutje trajneri italian ka thënë se janë duke punuar për ta rikthyer besimin tek ekipi.
“Mungesa e besimit te skuadra erdhi nga tre ndeshjet e para ku humbëm tetë pikë nga nëntë të mundshme dhe kjo na kushtëzoi. U desh të ktheheshim nga baza, domethënë nga paraqitja e mirë në mbrojtje”.
“Kjo është ajo ku duhet punuar, është çështje vetëvlerësimi, edhe ndaj Interit kemi lënë pak hapësira dhe nëse përpara jemi agresivë, ata mbrapa luajnë me cigare në gojë”, tha Allegri. /Telegrafi/