Massimiliano Allegri është shprehur krenar, pasi rotacioni i skuadrës së Juventusit rezultoi i suksesshëm në fitoren prej 2-0 kundër Atalantas.
Zonja e Vjetër e fitoi me rezultat 2-0 ndeshjen e mbetur nga java e 26-të në Serie A dhe tashmë është shkëputur me katër pikë nga Napoli në krye të tabelës.
“Jemi në krye të tabelës me katër pikë përpara. Është faza vendimtare e sezonit”.
“Objektivi i klubit ishte arritja në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe që të jetë në garën për titull në muajin mars, pra këtë e kemi bërë”.
“Sot (e mërkurë) duhej të ishim të vëmendshëm, sepse Atalanta është një skuadër e fortë teknikisht dhe taktikisht. E përfunduam ndeshjen me një ngritje dhe i fituam tri pikët”.
“Gjëja më e rëndësishme është se të dielën i ndryshuam pesë apo gjashtë lojtarë dhe të njëjtën gjë e bëmë sot (e mërkurë)”.
“Qëllimi është që të shkojmë deri në fund dhe për këtë na nevojiten të gjithë lojtarët, që nënkupton se duhet që disa t’i lëmë të pushojmë dhe me anë të rotacionit të sigurohemi se të gjithë janë gati”, ka deklaruar Allegri për Sky Sport Italia. /Telegrafi/