Telegrafi

Allegri shpjegon zgjedhjet e tij taktike

Massimiliano Allegri i ka lëvduar Gianluigi Buffonin dhe Dani Alvesin për paraqitjet e tyre mbresëlënëse kundër Monacos, por ka shprehur pakënaqësi me Miralem Pjanicin.

Bianconerët fituan me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, me golat e Gonzalo Higuain, ndërsa Alves ishte asitues në të dyja rastet, ndërkohë që Gigi Buffon ishte i pakalueshëm në portë në ndeshjen e tij të 100-të në karrierë në garën më të madhe evropiane për klube.

Lexo po ashtu Buffon, vetëm lojtari i dytë italian që luan 100 ndeshje në Ligën e Kampionëve me të njëjtin klub

“Duhet t’i japim komplimente skuadrës, sepse nuk ishte aspak lehtë. Monaco ka shumë teknikë. Bëmë disa gabime dhe Buffon bëri një pritje të shkëlqyer kur rezultati ishte 0-0… Mbi të gjitha duhet të jemi të kënaqur, por është edhe një ndeshje për t’u zhvilluar dhe është takim shumë serioz”, ka deklaruar Allegri për Mediaset Premium.

Ai është pyetur pse vendosi ta linte Juan Cuadradon në bankën rezervë dhe ta angazhonte Alvesin më përpara. Arsyetimi ishte mungesa e Sami Khediras dhe rreziqet e Monacos në kundërsulme.

Njëherësh, arsyeja e inkuadrimit të Andrea Barzaglit nga minuta e parë ishte për faktin se Claudio Marchisio nuk është shumë i mirë me topa të lartë.

Lexo po ashtu Alves me rekord personal në Ligën e Kampionëve

Nga ana tjetër, Allegri ka kërkuar nga Pjanici që të jetë më i qetë dhe të tregojë në maksimum potencialin që ka.

“Jam i nevrikosur me Pjanicin, sepse ai mund të bëhet njëri prej tre mesfushorëve më të mirë në botë, por secilën herë që gabon në pasime, reagon sikur të jetë fundi i botës. Ai duhet te jetë më i qetë, sepse potenciali i tij po shprehet vetëm pjesërisht”, ka thënë trajneri. /Telegrafi/