Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri po planifikon të vendosë një treshe sulmuese të fortë në ndeshjen e ardhshme kundër Hellas Verona.
Bianconerët janë duke u përgatitur me seriozitetin më të madh për përballjen e tyre kundër Veronës që zhvillohet të dielën, pasi në ndeshjen e parë kishin humbur 2-1 para disa muajsh.
Juventusi llogaritej si fituese e këtij afati kalimtar dhe tani është kohë që kjo të vërtetohet.
Siç raportohet nga gazetari i afërt me klubin, Romeo Agresti, trajneri Max Allegri pritet të vendos një treshe të fortë sulmuese nga minuta e parë me emra si Paulo Dybala, Dusan Vlahovic dhe Alvaro Morata.
Ai madje e ka provuar këtë treshe në stërvitje dhe mediat thonë se mund të luajë me të tre ndaj Veronës.
Vlahovic nënshkroi për Juventusin nga Fiorentina javën e kaluar dhe ai pritet të jetë njeriu kryesor në epokën pas Cristiano Ronaldos në Torino.
Edhe Denis Zakaria që erdhi nga Borussia Monchengladbach pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për Allegrin dhe edhe ai mund të startojë në këtë ndeshje.
Ndeshja mes Juventusit dhe Veronës zhvillohet të dielën nga ora 20:45. /Telegrafi/