Massimiliano Allegri pranon se humbja e Juventusit në Superkupën e Italisë ndaj Interit pesë sekonda nga fishkëllima e fundit e bën atë të ndihet se “futbolli u shpik nga djalli”.
Bianconerët kishin kaluar disi në epërsi kundër Interit falë një goli me kokë nga Weston McKennie, por Lautaro Martinez barazoi në pjesën e parë nga penalltia.
Ndeshja ishte gati të shkonte në penallti pas vazhdimeve kur Alexis Sanchez doli në skenë dhe rrëmbeu golin e fitores, duke shënuar pas një gabimi amator të Alex Sandro.
“Ishte një lojë e vërtetë, një test i mirë për ne për të parë se ku jemi. Fatkeqësisht, futbolli ndonjëherë duket sikur është shpikur nga djalli”, ka thënë fillimisht Allegri për Sport Mediaset.
“Bëmë një gabim naiv pesë sekonda nga fundi, por luajtëm kundër ekipit më të fortë në Itali për momentin dhe patëm disa raste, duke i lejuar Interit shumë pak. Ne luftuam në 10 minutat e para, por më pas bëmë shumë mirë”.
La gallery di #InterJuve.
📸 https://t.co/DDa7mhTYbI#SupercoppaFrecciarossa pic.twitter.com/0VZkJTWIeQ— JuventusFC (@juventusfc) January 13, 2022
“Një humbje pesë sekonda nga fundi dhemb, por ne duhet ta përdorim atë zemërim për Serie A, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve”.
“Duhet të shohim anët pozitive, skuadra po përmirësohet, veçanërisht fizikisht. Ishte një ndeshje e vetme, nuk shkoi ashtu siç donim, kështu që tani fokusohemi në ligë”.
“Kjo është dëshmi se ka një qasje të unifikuar nga të gjithë. Pavarësisht gabimit në fund, ne pamë Alex Sandron të kthehej në nivelin e tij të zakonshëm, ndërsa Daniele Rugani bëri sërish mirë në mbrojtje pas ndeshjes me Romën”.
“10 minutat e para ishin të ndrojtura, por ne fituam besim dhe nuk i lejuam Interit praktikisht asgjë në pjesën e dytë”.
“I urova djemtë për paraqitjen, pasi nuk ishte e lehtë. Kur humbet një ndeshje të tillë, veçanërisht një trofe, pesë sekonda nga fundi dhe duhet të shikosh kundërshtarët duke festuar, kjo do të jetë e dëmshme. Ne duhet ta përdorim atë në vazhdim”, përfundoi trajneri i Juventusit. /Telegrafi/