Site icon Telegrafi

Allegri i papërmbajtshëm në derbin ndaj Torinos, goditi shqelm Bernardeschin gjatë një momenti të ndeshjes

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri vendosi t’i japë mesfushorit Federico Bernardeschi një goditje me shqelm në pjesën e pasme gjatë fitores 1-0 kundër Torinos në kuadër të javës së shtatë në Serie A.

Juventusi fitoi me rezultat minimal 1-0 në derbin lokal ndaj Torinos që u zhvillua sot (e shtunë) mbrëma në Stadio Olimpico.

Goli i vetëm në këtë takim u shënua në minutën e 86-të nga mesfushori i transferuar këtë verë nga Sassuolo, Manuel Locatelli.

Lexo po ashtu Juventusit i takon “Derby della Mole”, Locatelli heroi i bardhezinjëve

Kjo fitore e vonshme është shumë e vlefshme për Zonjën e Vjetër, pasi tani është në vendin e tetë, por me formë të mirë me tri fitore radhazi.

Megjithatë, paraqitja ndaj Torinos lë për të dëshiruar dhe kjo e bëri nervoz në disa raste edhe trajnerin Allegri, i cili mundohej t’i mbante lojtarët e tij vigjilentë me çdo mjet të nevojshëm.

 

Në minutën e 62-të, 54-vjeçari i dha një goditje të mirë në pjesën e pasme Bernardeschin, i cili nuk po angazhohej sa duhej.

Duke gjykuar nga reagimi anësorit italian, goditja e Allegrit nuk ishte edhe aq e butë, pasi Bernardeschi po bënte mimika. /Telegrafi/

Exit mobile version