Juventusi do të përballet me Salernitanën në udhëtim në kuadër të xhiros së 19-të në elitën e futbollit italian Serie A.
Do të jetë kjo përballja e dytë mes Juventusit dhe Salernitanës brenda tre ditësh, pasi dy skuadrat luajtën edhe në Kupën e Italisë.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri vazhdon të mos mendojë për titullin, duke thënë se objektivi i tyre është ta mbajnë larg me pikë skuadrën e vendit të pestë.
“Ndeshja në Salerno është e komplikuar, ata fituan ndaj Veronës dhe kanë ende shpresa për mbijetesën në elitë”.
“Duhet ta mbyllim në mënyrë pozitive këtë pjesë të parë të sezonit dhe të ruajmë avantazhin që kemi ndaj skuadrës që renditet në vendin e pestë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Nuk duhet ta ulim vëmendjen sepse në futboll nuk i dihet kurrë”, tha Allegri.
Tutje Allegri foli se cili nga yjet e ri do të nis ndeshjen nga minuta e parë mes Federico Chiesas dhe talentit turk Yildiz.
“Për mua është i rëndësishëm si ai që luan titullar, edhe ai që vjen nga stoli. Yildiz është një sulmues i dytë, një lojtar teknik me shumë gola në këmbë”.
“Ka vendin e tij në fushë dhe nuk e shoh si një mesfushor. Për mua nuk ka rëndësi titullar apo jo, stoli është shumë i rëndësishëm gjatë ndeshjes, sidomos si për lojën që mund të zhvillohet ndaj Salernitanës”, u shpreh Allegri. /Telegrafi/