Max Allegri këmbëngul se është ‘i lumtur’ me barazimin 0-0 kundër Milanit dhe pozitën aktuale të Juventusit në tabelë, por bëri shaka me asistentin e tij Marco Landucci që të sjell më shumë gola.
Biankonerët nuk patën asnjë goditje në portë dhe më e afërta që arritën ishte një goditje me kokë e Weston McKennie nga harkimi i Alex Sandros.
Rezultati i lë ata një pikë prapa Atalantës së vendit të katërt dhe shtatë pas Milanit.
“Ishte një lojë e mirë. Ne po dilnim nga shumë përplasje kokë më kokë dhe një disfatë do të na kishte lënë 10 pikë prapa Milanit, kështu që do të ishte negative”, deklaroi Allegri për DAZN.
“Ne duhet të jemi pak më të qetë dhe më të përqendruar në të tretën e fundit, pasi jemi të nxituar dhe e marrim gabim topin e fundit. Ishte një lojë e luftuar me disa goditje të forta, ishte e ekuilibruar dhe barazimi është rezultati i duhur”.
“Mendoj se kemi bërë më mirë në pjesën e dytë kundër një Milani të mirë dhe të jemi në këtë fazë pas dy takimeve kokë më kokë është mirë”.
“Jam i lumtur sepse djemtë po luajnë më shumë si një ekip, duke kuptuar se kur duhet ta kontrollojnë topin në momentet e mbrojtjes dhe sulmit. Po arrijmë atje”.
“Lojtarët kanë përmirësuar vetëbesimin e tyre, sepse ne mbajtëm tetë porta të paprekura në 12 ndeshjet e fundit dhe ky është një sinjal i mirë”.
Tifozët e Juventusit kishin bërë shaka se skuadra luante futboll shumë më sulmues, duke shënuar katër gola në dy ndeshjet me Landucci, kur Allegri ishte i suspenduar.
“Ndoshta duhet ta vendosim Landuccin në bankinë, sepse nuk shënojmë kurrë katër gola kur jam unë atje! Ndoshta unë jam problemi!”, qeshi Allegri.
“Fakti mbetet, ne nuk duhet të bëhemi mendjemëdhenj, pasi atëherë lëvizim pak më pak, vrapojmë pak më ngadalë dhe këtë nuk mund ta përballojmë. Duke marrë parasysh se si e nisëm sezonin, jam shumë i lumtur që jam në këtë pozicion dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në shkurt”.
“Kjo ishte një nga ato ndeshje ku çdo gjë mund të ndodhte. Ne e mbajtëm Milanin brenda shtatë pikëve dhe kjo është gjëja e rëndësishme”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/