Site icon Telegrafi

Allegri ende nuk e mendon titullin: Fokusin e kemi vetëm te Atalanta

Juventusi ka arritur një fitore të madhe në çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Sassuolos 2-1.

Me triumfin e mbrëmshëm në Allianz Stadium, Zonja e Vjetër ka siguruar plasmanin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ku do të përballet me Fiorentinën.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka folur pas ndeshjes, duke thënë se dy transferimet e reja të tyre janë përshtatur mjaftë mirë dhe shpejtë me pjesën tjetër të ekipit.

“Jemi të kënaqur me Vlahovic dhe Zakaria. Ata janë lojtarë shumë të mirë dhe janë përshtatur shpejt”.

“Juve kishte luajtur mirë kohët e fundit, por këta lojtarë i sjellin ekipit karakteristika që nuk i kishim më parë. Jemi të lumtur që e kemi Vlahovic, por ai duhet të përmirësohet, të sulmojmë më shumë hapësirat. Gjithsesi ky është një proces normal për çdo lojtar”.

“Ishim me fat me atë mundësi shënimi në minutat e fundit. Është gjithashtu e vërtetë që krijuam shumë raste në pjesën e dytë dhe u paraqitëm mirë. Na zuri gjumi pas golit të shpejtë që shënuam dhe Sassuolo na shtyu shumë mbrapa dhe barazuan”, tha Allegri.

Edhe pse janë tetë pikë mbrapa Interit me kampionin në fuqi që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, Allegri nuk preferon të flas për titullin.

“Jemi potencialisht 11 pikë larg Interit, ndaj duhet të fokusohemi tek Atalanta. Ata janë një skuadër fizike, me shumë kualitete dhe do të ndizen nga eliminimi në Kupën e Italisë. Kështu që duhet të japim gjithçka të dielën dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Skuadrat e tjera janë shumë larg”, u shpreh trajneri italian.

Atalanta do të jetë nikoqire e Juventusit të dielën me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/

Exit mobile version