Telegrafi

Allegri e konfirmon: Morata do të qëndrojë te Juventusi, do të largohet Ramsey

Trajneri i Juventusit, Max Allegri, ka thënë se Alvaro Morata ‘nuk do të largohet’, ndërsa ka konfirmuar se Aaron Ramsey do të largohet në janar.

Afati kalimtar i janarit ka qenë i hapur për Alvaro Morata që me sa duket ishte dakord për një transferim te Barcelona, i cili te Juve është në huazim për dy sezone nga Atletico Madridi.

Dukej se problemi i vetëm i Juventusit ishte gjetja e një zëvendësuesi për spanjollin, ndërsa Allegri është përkujdesur sot në konferencë për shtyp që të mbyll këtë çështje.

“I thashë Alvaros se ai do të qëndrojë këtu, ai nuk do të largohet nga Juventusi, fundi i historisë”, deklaroi trajneri.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që Juve do të aktivizojë opsionin e tyre për të blerë Moratan në fund të sezonit për 35 milionë euro, pasi deri tani ka paguar te Atletico Madridi plot 20 milionë euro për huazimin dy-vjeçar.

Ndërkohë, Allegri konfirmoi atë që të gjithë tashmë e dinin mirë, se mesfushori uellsian Aaron Ramsey është gati të largohet.

“Ramsey është duke u larguar nga Juventusi. Mendoj se skuadra 99 për qind do të mbetet ajo që është tani”, përfundoi ai. /Telegrafi/