Mediat franceze dhe spanjolle raportojnë se në rast të angazhimit të Massimiliano Allegrit në postin e trajnerit të Paris Saint-Germainit, Miralem Pjanic mund t’i bashkohet kampionit të Ligue 1, ndërsa Marquinhos apo Marco Verratti mund të shkojnë në drejtim të Juventusit.
Presidenti i Cagliarit, Tommaso Giulini, ka deklaruar se strategu italian i kishte thënë në janar se e ardhmja e tij do të jetë jashtë vendit, ndërsa shumëkush beson se ai do ta zë vendin e Thomas Tuchel në Paris.
Sipas le10sport.com dhe gazetës spanjolle Sport, ky angazhim do të ndikojë edhe në strategjinë e transferimeve, me ç’rast mesfushori boshnjak do t’i bashkëngjitej ish-trajnerit të Juves në Parc de Princes.
Pjanic kërkohet nga Barcelona, mirëpo Arthur Melo refuzon të largohet nga Camp Nou si pjesë e marrëveshjes shkëmbyese. Nga ana tjetër, PSG është gati të bëjë biznes shkëmbimi me Marquinhos apo Verattin.
Mesfushori italian ka kohë që kërkohet nga Juventusi, ndërsa ai mund të përshtatet për mrekulli në sistemin 4-3-3 të Maurizio Sarrit. /Telegrafi/