Site icon Telegrafi

Aliu kritikon Hotin: Është dashur të shkarkohet Goran Rakiq, theu heshtjen zgjedhore dhe shkeli ligjin

Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu në emër të grupit parlamentar në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që kryeministri Avdullah Hoti të shkarkojë zëvendësin e tij, Goran Rakiq.

Aliu ka thënë se Rakiq theu heshtjen zgjedhore duke bërë thirrje që të votojnë kandidatin e Listës Serbe.

“Dje zëvendësi i Avdullah Hotit, Goran Rakiq theu heshtjen zgjedhore duke kërkuar nga qytetarët e veriut që ta votojnë kandidatin e Listës Serbe. Ai madje tha se Lista Serbe e ka përkrahjen e shtetit të Serbisë dhe presidentit Vuçiq”, u shpreh Aliu.

Ai shtoi se Rakiq është zv.kryeministër dhe qëndrimi i tij pashmangshëm e implikon institucionin që ai e përfaqëson e që është Qeveria e Kosovës.

“Rakiq e shkeli ligjin duke bërë thirrje që të votohet një kandidat i caktuar. Asnjë reagim nga Avdullah Hoti që presupozohet të jetë shefi i tij. E pritshme dhe normale ka qenë të ndodhin shkarkimet tani. A do të thotë kjo se ai pajtohet me veprimet e zëvendësit e tij, apo ndoshta është në gjumë dhe nuk e di që duhet të veprojë”, tha Aliu.

Deputeti i LVV-së, shtoi se e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë është shkuarja në zgjedhje. /Telegrafi/

Exit mobile version