Sipas kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajt, Kryeministri Edi Rama shthur gjuhën në varësi të “zhytjes” nëpër afera.
Në një postim në Twitter, Alibeaj tha se kështu ndodh kur “fal për sadaka portin e Durrësit”.
Reagimi vjen pas fjalëve të ashpra të Ramës drejtuar opozitës gjatë seancës plenare për buxhetin e vitit 2023.
Alibeaj thotë se buxheti i vitit 2023 shkoi si “gosti për miq e klientë” ndërsa kryeministrin e cilësoi si gojëndyrë, pa nerva e pa qetësi.
“Shqiptarëve iu la peshqesh, veç fyerjeve dhe talljes, varfërinë, korrupsionin, pabarazinë, padrejtësinë dhe ikjen masive nga vendi. Kjo është e vërteta e hidhur me të cilën shqiptarët përballen çdo ditë. Një realitet që propaganda nuk e fsheh dot, arroganca nuk e lehtëson dhe vetëm ndryshimi i madh mund dhe duhet ta përmirësojë,” thuhet në postimin e tij.
Në seancat e Kuvendit ku diskutohej buxheti, gjuha e përdorur nga kryeministri kundrejt deputetëve të opozitës ka nxitur reagime. /Telegrafi/
1.1. Nuk do shumë mund për të kuptuar se sa herë ai shthur gjuhën aq më shumë është i zhytur në aferat që e mbajnë peng. Kështu ndodh kur “fal” për sadaka portin e Durrësit, një copë të atdheut në fakt, nga hajduti në ballë e 40 oligarke vërdallë!
— Enkelejd Alibeaj (@enkelejdalibeaj) November 10, 2022