Site icon Telegrafi

Alibeaj: PD ka përgjegjësinë për t’i ofruar shqiptarëve një president me integritet

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha sot se PD nuk do t’i iki përgjegjësisë për t’u bërë pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri të Shqipërisë.

Në një komunikim me gazetarët para futjes në Kuvendin e Shqipërisë, Alibeaj u shpreh se PD ka për synim që për president të zgjedhë një profil politik që të jetë për shqiptarët.

“E rëndësishme është të diskutohet për interesin publik dhe të PD-së. Historitë e thëna nga individë që ju i përmendi janë bërë të qarta. Të rëndësishme janë ngjarjet parlamentare, siç është përzgjedhja e presidentit. Qëndrimi i grupit parlamentar të PD është bërë i qartë me konsultim me deputetët, me mendje të hapur. Do të jetë pjesë e diskutimeve të grupit kjo çështje dhe duke pasur synim të gjithë ne një profil politik që të jetë për shqiptarët”, ka shtuar Alibeaj.

“Është detyrimi ynë politik ta marrim këtë përgjegjësi. Është një test politik për të gjitha palët të marrin pjesë në proces. Konsultimet do të ndodhin, së pari mes nesh, brenda grupit parlamentar”, ka thënë Alibeaj.

Ai tha thënë gjithashtu se Partia Socialiste edhe pse i ka numrat për ta zgjedhur vetë presidentin pas raundit të tretë të votimeve, nuk ka legjitimitetin e nevojshëm për ta zgjedhur vetë presidentin, shkruan Telegrafi.

“Unë them këtë gjë. Mazhoranca, sot që flasim, ka treguar qartë që edhe formalisht me numra kjo mazhorancë nuk vendos e vetme,” Alibeaj theksoi.

“Shqiptarët duan një profil politik që s’ka të bëjë fare me influencën e votave të non gratave. Janë 4 deputetë të kësaj mazhorance të etiketuar si non grata. Non-gratat nuk kanë të drejtën morale dhe politike për të votuar për presidentin. Duhet të jetë një president jo i afektuar nga votat non-grata”, sipas Alibeajt.

Alibeaj u shpreh i hapur për diskutime dhe propozime për një emër për president në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së.

Ai tregoi se ka pasur diskutime me deputetët dhe pritet të kalohet në konsultime me grupet e tjera parlamentare për të zgjedhur një president me integritet.

“Duhet të zgjidhet një profil politik, këto janë sugjerime të mijat. Duhet të jetë një njeri që mos të ketë në të shkuarën e vetë, por të jetë një njeri i ekuilibrave, që ka treguar se përballet me dinjitet testeve politike. Procesi i zgjedhjes së presidentit të republikës të jetë serioz, që mos të ngutemi. Jam i mirë në matematikë! Nuk është çështje numrash, por procesi, një proces gjithëpërfshirës. Ky parlament nuk duhet ta zgjedh nga gjiri i vetë përmes pazareve dhe kulisave, por përmes procesit transparent. Këto synime hyjnore, ky është testi që kemi të gjithë. Nuk është çështje numrash, por legjitimitet”, tha Alibeaj. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version