Kryetari në detyrë i dorëhequr i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar sot pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha që e lidhin atë me kryeministrin Edi Rama.
Në një reagim në Facebook, Alibeaj ka thënë se Berisha hedh baltë mbi të si e vetmja mënyrë për justifikuar “katastrofën e vet elektorale” në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Pasi u bojkotua masivisht nga demokratët dhe shqiptarët, Sali Berisha vazhdon të hedhë llum dhe baltë si e vetmja mënyrë për t’i mbijetuar katastrofës së vet elektorale. I përjashtuari i madh nga politika, me 103 mijë vota demokratësh kundër tij e me 200 mijë të tjerë që e refuzuan dëshmoi qartë kush i ka shërbyer kujt!”, tha Alibeaj.
“Edi Ramës i duhet Sali Berisha dhe soji e sorollopi i tij i korruptuar për të justifikuar korrupsionin ku është zhytur ai dhe qeveria e tij.
Unë nuk kam qenë kurrë e nuk jam me parimin e Xenit, për tu paguar për gjithçka. Sali, dorëheqja ime është akt që shkon për të mirën e demokratëve, largimi yt është çlirim dhe frymëmarrje për ta”, shtoi Alibeaj.
Pak më herët, ish-kryeministri dhe bashkë-drejtuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha lëshoi akuza të forta për Enkelejd Alibeajn.
I shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, Berisha tha se Alibeaj është shpërblyer nga Rama me një shumë parash prej 220 mijë eurosh.
I përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD-së prej më shume se një viti, Berisha, i cili nisi një lëvizje jashtë partisë të quajtur “Rithemelimi”, tha më tej se ish-kryetari i dorëhequr i PD-së Lulzim Basha dhe Alibeaj, u përdorën në mënyrën më të pamëshirshme për të goditur opozitën shqiptare. /Telegrafi/