Site icon Telegrafi

Alexander-Arnold dhe Alcantara, dy mungesat e mëdha të Liverpoolit në derbi ndaj Man Cityt

Trent Alexander-Arnold do të humbasë përballjen e Liverpoolit në Ligën Premier kundër Manchester Cityt, për shkak të lëndimit, ndërsa mungesë e Reds do të jetë edhe Thiago Alcantara.

Mbrojtësi i Reds pësoi një problem në ijë gjatë stërvitjes të hënën, dhe mungoi në ndeshjen e Ligës së Kampionëve të martën kundër Portos.

Trajneri Jurgen Klopp tani ka zbuluar se 22-vjeçari është i sigurt se do të mungojë gjithashtu kundër Cityt në Anfield të dielën.

Gjermani gjithashtu konfirmoi se Thiago Alcantara do të mungojë pasi ai vazhdon të shërohet nga një problem me kyçin, por ai ka shpresë se të dy lojtarët mund të kthehen në aksion pas pushimit ndërkombëtar.

“Jo. Asnjë ‘lajm’ nuk thotë se ata po bëjnë mirë. Ata nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u kthyer kundër Cityt, por unë pres që ata të dy të kthehen pas pushimit ndërkombëtar”.

“Por, ne kemi një ekip të mirë kështu që ne ende kemi zgjidhje dhe duhet t’i përdorim ato dhe po, pas pushimit ndërkombëtar djemtë do të kthehen mendoj”, ka thënë Klopp për faqen zyrtare. /Telegrafi/

Exit mobile version