Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë tha sot se politika e Perëndimit dhe e qeverisë ukrainase po e dërgon Ukrainën drejt shpërbërjes.
Deklarata e Nikolai Patrushevit është një paralajmërim i ri se Rusia dëshiron ta ndajë Ukrainën në shtete më të vogla, për të cilën Moska do të përpiqet të akuzojë kundërshtarët e saj.
Duke folur për gazetën qeveritare Rossiyskaya Gazeta Patrushev, aleati i presidentit rus Vladimir Putin, tha se Shtetet e Bashkuara janë përpjekur prej vitesh të nxisin urrejtje ndaj gjithçkaje ruse në Ukrainë.
“Por historia na mëson se urrejtja nuk mund të bëhet kurrë një faktor i besueshëm në unitetin kombëtar”, tha ai. “Nëse diçka i bashkon njerëzit në Ukrainë, është frika e krimeve të kryera nga batalionet nacionaliste”, shtoi Patrushev. Ai i referohej forcave ukrainase që Kremlini i quan naziste, raporton theguardian.
Prandaj, rezultati i vetëm i politikës së Perëndimit dhe Kievit mund të jetë shpërbërja e Ukrainës në disa shtete, përfundoi Patrushev.
Komentet e Patrushev, pothuajse nëntë javë pas fillimit të pushtimit, janë treguesi më i fundit se Moska nuk dëshiron ta pushtojë, por ta ndajë Ukrainën.
Pas dështimit për të sulmuar Kievin, forcat ruse u rigrupuan në Ukrainën lindore në një fushatë për të “çliruar” rajonin e Donbasit.
Ndryshe, një gjeneral rus gjatë javës së kaluar deklaroi se Rusia dëshiron të pushtojë të gjithë lindjen dhe jugun e Ukrainës. /Telegrafi/