Lidhur me ngjarjet e fundit në skenën politike në Kosovë, me theks të veçantë demarkacionin dhe organizimin e protestës më datën një shtator, në emisionin Info Magazine, ka folur deputetja nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Organizimin e protestës me një shtator, Haxhiu e cilëson si rikthim të rezistencës që kanë treguar një vit më parë.
“Është tepër e rëndësishme që t’i kthehemi rezistencës siç e kemi nisur vitin e shkuar. Prandaj i kemi njoftuar qytetarët e Kosovës që më një shtator do të jetë protesta e radhës. Është koha e fundit kur ne si qytetarë të republikës duhet të dalim në mbrojtje të territorit të Kosovës”, tha ajo.
“Takimi i fundit nuk ka qenë protestë. Ka qenë më shumë një lloj aksioni i Vetëvendosjes. Ne kundërshtimin opozitar e kemi nisur në shtator të vitit të shkuar. Që atëherë kemi nisur rezistencën dhe kundërshtimin tonë. Po punojmë që të kemi një protestë sa më masive”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa jetësimin e kauzës për demarkacionin dhe Zajednicën, Haxhiu ia atribuon qytetarëve të Kosovës.
“Demarkacioni me Malin e Zi dhe Zajednica nuk janë gjallë vetëm falë mobilizimit qytetar dhe opozitar. Falë gjithë atij kontributi të qytetarëve të Kosovës, si edhe të opozitës, ne kemi arritur që të kemi në sheshet e Prishtinës mijëra qytetarë”.
Ndër të tjera deputetja ka bërë të ditur qe Vetëvendosje u ka bere thirrje edhe partive tjera opozitare për proteste, mirëpo qe këto te fundit nuk kane shprehur interesim rreth kësaj çështje.
“Ka një të pavërtetë të madhe edhe në reagimin e Muharrem Nitajt. Para se të marrim vendim për protestë, ne kemi tentuar që të kontaktojmë edhe me zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Mirëpo nuk ka pasur interesim as nga kjo parti, por as nga NISMA për Kosovën. Gjatë këtyre ditëve ka pasur insistim të zyrtarëve të Vetëvendosjes për të takuar partitë tjera opozitare, por ato nuk janë përgjigjur”, tha ajo.
“Nëse ata vazhdojnë të mos përgjigjen, i bëjmë thirrje elektoratit të këtyre dy partive që të na bashkohen, ashtu siç i kemi pasur në protestat e mëhershme. Po ashtu, në prag të kohës kur ishim para një fitore të madhe, këto dy parti u shkëputën, duke ndryshuar qëndrimet në raport me marrëveshjet të cilat ne i kundërshtojmë”, tha haxhiu.
“Pres që edhe Aleanca, edhe NISMA, t’i bashkohen kësaj proteste. Demarkacioni me Malin e Zi nuk ndalet me votat e deputetëve në Kuvend. Ka pasur deputetë të partive në pushtet që kanë dalë kundër kësaj marrëveshje. Por i kemi të freskëta rastet kur deputetët janë shitur dhe blerë për terminale doganore dhe poste diplomatike”, ka deklaruar Haxhiu.