Katër deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët gjykohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës do të paraqitën përsëri të mërkurën e ardhshme para Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli do te paraqiten në gjykim për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.
Seanca e fundit lidhur me këtë rast mbajtur më 7 dhjetor ku kanë dëshmuar deputet Naser Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në këtë proces gjyqësor tashmë kanë dëshmuar dëshmitaret-të dëmtuara, Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra, deputetët Xhavit Haliti dhe Nuredin Ibishi si dhe dy punëtoret e Administratës së Kuvendit të Kosovës Shpresa Gosalci dhe Leonora Halimaj.
Në seancës e radhës pritet të dëshmojnë kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, si dhe deputeti Armend Zemaj.
Albin Kurti dhe Donika Kadaj- Bujupaj aktualisht janë në masën e paraburgimit në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan ku po mbahen pasi që thyen masën e arrestit shtëpiak e cila ishte caktuar ndaj tyre.
Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Të akuzuarit ishin arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.
Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.
Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.
Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike./Kallxo.com/