Koalicioni i ish-luftëtarëve të UÇK-së fitoi zgjedhjet me një shumicë relative. Sidoqoftë, partia më e madhe, individualisht, doli Lëvizja Vetëvendosje. Televizioni kombëtar i Zvicrës, SRF, ka zhvilluar një intervistë me themeluesin dhe kandidatin për kryeministër të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
I pyetur se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Kurti ka thënë: “Mendoj se do të jem unë. Pas këtyre zgjedhjeve, ne jemi partia më e madhe në Kosovë”.
Sipas tij, kur ta marrin Qeverinë do të donin të implementonin 40 prioritetet e tyre për Kosovën.
“Kjo përfshin një fond të pavarur për të financuar rindërtimin e vendit dhe përkrahjen e ekonomisë tonë”, ka thënë ai. “Ne gjithashtu kemi nevojë për një bankë zhvillimore me norma interesi më të ulëta. Krimi i organizuar dhe korrupsioni i shfrenuar duhet të ndalohen. Nevojiten gjyqtarë dhe prokurorë më të mirë dhe këtu kemi nevojë për mbështetjen e BE-së”.
Kurti pranon se VV është më e majtë në krahasim me pjesën tjetër të skenës politike, sepse duan të eliminojnë pabarazinë sociale.
“Kosova është një vend pa sigurim shëndetësor. Nëse dikush pëson një aksident në autostradë, sot, ka sigurim për automjetin, por jo për njerëzit”, thotë ai, duke shtuar se nuk e quan veten nacionalist ballkanik. “Ne besojmë, megjithatë, se kombi në politikë është një koncept i rëndësishëm dhe një ide e rëndësishme. Ne nuk mund ta lëmë këtë në duar të së djathtës. Nuk do ta kthejmë kombin kundër shoqërisë”.
I pyetur për dialogun me Serbinë, ai thotë se më të interesuar janë të fillojnë bisedimet me serbët e Kosovës.
“Ne duam të bashkëpunojmë me serbët në një dialog për zhvillim”, thotë ai, duke shtuar se Serbia po luan një lojë të dyfishtë me BE-në dhe Rusinë.
Ndërkaq, kur është fjala te Gjykata Speciale dhe aktakuzat e para që do të ngritën, shprehet se me këto çështje duhet të merren gjykatat e Kosovës.
“Gjyqtarët ndërkombëtarë kanë qenë më të interesuar në stabilitetin politik sesa në drejtësi për popullin. Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së, por nuk kemi nevojë për prokurorë të huaj që mbeten për vetëm një apo dy vjet. Ne vetë duhet të jemi bartës dhe iniciatorë të drejtësisë për njerëzit këtu. Drejtësia nuk mund të importohet”, thotë Kurti. /Insajderi/