Site icon Telegrafi

Albin Kurti për Dua Lipën: Diplomatja më e mirë që Kosova mund të kishte kërkuar dhe shpresuar ndonjëherë

Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, është nderuar me çmimin “Artistja e shquar e vitit 2021” në Distinguished Leadership Awards.

Me të pranuar çmimin, ajo mbajti një fjalim fantastik para publikut, duke treguar hollësishëm për sfidat me të cilat ballafaqohet vendi i saj, njëherësh duke treguar edhe anët pozitive të shtetit prej nga ajo vjen.

Lipa pati një thirrje edhe për BE-në, ku ka kërkuar liberalizimin e vizave, duke u shprehur se Kosova e meriton një gjë të tillë.

Dua Lipa në Këshillin Atlantik 2021 (Foto: Atlantic Council)

Për paraqitjen e saj dinjitoze në Këshillin Atlanti, Dua mori lëvdata edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shefi i Qeverisë së Kosovës përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, i ka dedikuar disa fjalë këngëtares së shumë hiteve globale, duke u shprehur ndër të tjerash se ajo është diplomatja më e mirë që Kosova mund të kishte kërkuar.

“Dua Lipa nuk është vetëm këngëtarja më e famshme në botë, ajo është një aktiviste që frymëzon lëvizjet për ndryshim dhe është diplomatja më e mirë që Kosova mund të kishte kërkuar dhe shpresuar ndonjëherë. Urime për çmimin tuaj në Këshillin Atlantik. Ju jeni një frymëzim dhe vendi juaj është krenar për ju”, ka shkruar Albin Kurti në Instagram.

Prezente në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve në Këshillin Atlantik 2021, ka qenë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version