(E plotësuar) – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për media pasi ka marrë vaksinën kundër coronavirusit.
Kurti ka ftuar qytetarët që të vaksinohen, transmeton Telegrafi.
“Si kryeministër i Kosovës, nuk jam këtu që të shfrytëzojë privilegjin për të marrë vaksinën i pari, por që t’i inkurajojë të gjithë qytetarët që të vaksinohen, meqenëse mbrëmë kanë ardhur kontingjenti i parë kundër virusit COVID-19. Do të kemi dhe vaksina tjera, do të përpiqemi maksimalisht që sa më shpejtë sa më shumë qytetarë të vaksinohen”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se vaksinimi është i nevojshëm.
“Dhe me shembullin tim, dua të ju them të gjithë qytetarëve të vaksinohen dhe të heqin dilemat. Vaksinimi është i nevojshëm pasi që përballemi me një pandemi të vështirë”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Kurti ka kërkuar nga qytetarët që të mbajnë maskat dhe të respektojnë masat kundër virusit.
– – – – – – – – – – – – – – – – – –
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para pak çastesh ka marrë vaksinën AstraZeneca – Oxford COVID-19.
Vaksinimi i Kurtit është bërë në sallën e sporteve “1 Tetori”, në Prishtinë.
Pas Kurtit, vaksinën e ka marrë edhe Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot në takimin virtual me kryetarët e komunave të Kosovës ka bërë të ditur se procesi i vaksinimit do të fillojë të martën në Klinikën Infektive dhe sallën “1 Tetori”, kurse në komuna të enjten ose premten e kësaj jave.
Kosova, të dielën mbrëma, ka pranuar24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.
Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.
Fushata e vaksinimit në Kosovë pritet të nisë të martën.
Kosova ka regjistruar mbi 88,000 raste me koronavirus. Aktualisht, aktive janë mbi 13,000. /Telegrafi/