Xhiro e nëntë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll fillon sot, ku në program janë tre ndeshje për tu zhvilluar.
Në program ditën e sotme janë tre duele për tu zhvilluar, ku secili është më interesant se tjetri.
Padyshim që dueli kryesor i ditës së sotme zhvillohet në Suharekë, aty ku Malisheva është nikoqir i Dritës.
Dy skuadrat janë në pjesën e epërme të tabelës me Malishevën që zënë vendin e katërt me 12 pikë, derisa Drita është një pozitë më lart me tre pikë më shumë.
Sfidë shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, ku Gjilani pret Dukagjinin.
Gjilani kërkon të rikthehet te fitoret pas humbjes në derbi, derisa klinasit pas dy barazimeve radhazi kërkojnë tre pikët.
Dueli i tretë i ditës së sotme zhvillohet në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas.
Feronikeli ’74 do të përballet me Fushë Kosovën në një duel i dy skuadrave nga pjesa e poshtme e tabelës.
Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme fillojnë nga ora 15:00. /Telegrafi/