Telegrafi

Alban Hyseni i LVV-së mposhtë Lutfi Hazirin e LDK-së në Gjilan

Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje e ka mposhtur në Gjilan Lutfi Hazirin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare ku tashmë janë numëruar 100 për qind të votave.

Sipas këtyre rezultateve Hyseni i LVV-së ka fituar 51.03 për qind të votave, apo saktësisht 21 mijë e 374 vota.

Në anën tjetër, tashmë ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka marrë 48.97 për qind ose 20 mijë e 515 vota.

Lexo po ashtu ​Lutfi Haziri e humb garën për Gjilanin, i uron fitore kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosjes

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri ka pranuar humbjen e kësaj komune duke i uruar fitore kundërkandidatit të tij, Alban Hyseni, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas publikimit të rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Haziri i cili është kryetar aktual i Gjilanit, ka thënë se në kuvend komunal LDK është shumicë.

“Zgjidhën tashmë kryetarin e ri të cilin tashmë në emër të LDK dhe në emër tim e përgëzoj për rezultatin e arritur. Zotëri Alban Hyseni do të jetë kryetar i zgjedhur i Gjilanit pasi që të konfirmohen rezultatet nga ana e KQZ-së dhe e ka urimin tim të parë si kryetar në detyrë. Nga nesër do të vazhdoj të ndërtoj ekipe për tranzicion sipas detyrës zyrtare duke qenë kryetar në detyrë do të përgatis të gjithë infrastrukturën dhe bartjen e detyrave sipas përgjegjësive që më takojnë”, ka thënë Haziri në një konferencë për media.

Haziri ka thënë se do të vazhdojë nga kapacitete të tjera politike të jetë i përfshirë në zhvillimin e qytetit të Gjilanit. /Telegrafi/