Telegrafi

Alarmon deputetja e LVV-së: Manastiri i Deçanit po zgjerohet duke blerë prona private

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku përmes një shënimi në Facebook ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me aktivitetet e Manastirit të Deçanit.

Ajo ka ngritur shqetësimin se ky institucion fetar po blen prona private duke zgjeruar territoret.

Mulhaxha-Kollçaku thotë se qëllimi i manastirit është që ato zona të mos popullohen me shqiptarë.

“Nga biseda dhe kontaktet me banorë të fshatrave përreth, kam kuptuar se kohëve të fundit Kisha Ortodokse Serbe, përkatësisht manastiri i Deçanit, po blen prona – shtëpi e patundshmëri – të serbëve lokalë në Gorazhdec, me gjasë që të sigurohet që ajo zonë mos të popullohet me shqiptarë”, ka shkruar deputetja e shumicës.

Ajo thotë se është e pakuptimtë që një institucion fetar të merret me toka derisa dihet misioni që duhet të ketë.

“Manastiri i Deçanit në njërën anë insiston që të marrë prona publike, në anën tjetër po blen prona private”.

“Pse ky fiksim i Manastirit me tokën? Si institucion fetar, a nuk do të duhej të ketë një mision tjetër?”, ka pyetur tutje Mulhaxha-Kollçaku./Telegrafi/