Site icon Telegrafi

Alarmon Blinken: Në Gazë janë vrarë më shumë civilë se terroristë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “SHBA-ja beson se në Gazë janë vrarë më shumë civilë se terroristë”.

I pyetur nëse SHBA-ja e ndan të njëjtin vlerësim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili së fundmi është shprehur se Izraeli ka vrarë 14 mijë terroristë dhe 16 mijë civilë në luftën e tij kundër Hamasit, Blinken tha: “Po. Dhe mendoj se raporti e bën të qartë se ndërkohë që Izraeli ka procedura dhe rregulla për të minimizuar dëmin e civilëve, duke pasur parasysh ndikimin që operacionet ushtarake kanë pasur në Gazë, ato nuk janë zbatuar vazhdimisht”.

Ndryshe, deklarata e Blinken vjen disa ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do të ndalojë dërgimin e armëve në Izrael nëse ai e pushton Rafahun, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Blinken jep disa nga kritikat më të forta publike të SHBA-së për sjelljen e Izraelit në luftën në Gaza

Edhe udhëheqës të tjerë botërorë dhe grupe të ndihmës humanitare kanë paralajmëruar për përpjekjet e Izraelit në Rripin e Gazës të cilat po i vënë në rrezik civilët.

Blinken foli gjithashtu edhe për një rishikim nga Departamenti i Shtetit për veprimet e Izraelit të cilat kanë ngritur “shqetësime serioze”.

“Vlerësimi ynë do të jetë i vazhdueshëm. Por siç thashë, duke pasur parasysh vuajtjet e civilëve, është e arsyeshme të thuhet se në një numër rastesh Izraeli nuk ka vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, lufta në Gazë ka lënë të vdekur më shumë se 34 mijë palestinezë. /Telegrafi/

Exit mobile version