Kryediplomati britanik në Tiranë, Duncan Norman gjatë një takimi që u zhvillua në Shkodër me të rinjtë për parandalimin e krimit tha se shqiptarët janë të përfshirë në krimin e organizuar, referuar shifrave të vendit të tij.
Ai i cilësoi statistikat të frikshme, pasi 742 shqiptarë janë në burgje, kryesisht nga Shkodra, Kukësi dhe Dibra.
“Kemi mbi 150 mijë shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe. Fatkeqësisht kemi edhe shqiptarë që janë përfshirë në krimin e organizuar. Statistikat janë të frikshme, në burgjet tona janë 742 shqiptarë e kryesisht të arrestuarit janë nga Shkodra, Kukësi dhe Dibra, 60-70% e tyre. Ne e dimë pse ndodh kjo. Lidhjet datojnë që nga vitet ‘90. Shumica janë për shkelje penale dhe mbi gjysma për shkelje për trafikim të kokainës apo dograve të tjera. Nuk janë probleme të vogla”, tha ai.
Për ambasadorin anglez në Tiranë, një pjesë e shqiptarëve shkojnë në mënyrë ilegale për një jetë më të mirë, por kjo sipas tij, nuk mund t’ju japë të drejtë atyre personave që organizojnë emigrim të paligjshëm dhe janë pjesë e krimit të organizuar.
“Kemi një numër që rritet të shqiptarëve që merren me krimin e organizuar. E kuptoj se një pjesë e shqiptarëve shkojnë në mënyrë ilegale për një jetë të mirë. Fokusi jonë nuk është të flasim për këto individë por për ata që janë të përfshirë në krimin e organizuar ose për ata që organizojnë emigrimin e paligjshëm. Ata që vijnë me varka ose kamionë dhe pjesa më e madhe janë me fat që kanë shpëtuar gjallë. Krimi i organizuar i bën shumë dëm shoqërisë shqiptare dhe sidomos veriut”, vijoi diplomati.
E pranishme në tryezën e diskutimit ishte edhe zëvendëskryeministrja Senida Mesi, e cila kërkoi që Britania të ndihmojë shqiptarët për t’u integruar. Ndërsa kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi deklaroi se Shqipëri fatkeqësisht vijon të jetë vend eksportues për drogën ku të përfshirë janë edhe ish ministra. /Telegrafi/