Al Trade Center, një prej kompanive më të mëdha në Kosovë e cila njihet për përgjegjësinë sociale, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, sot për nder të Ditës së Pastrimit ka organizuar disa aktivitete simbolike në tri qytete të ndryshme: Drenas, Fushë Kosovë dhe Prishtinë.
Aktivitetet simbolike kanë përfshirë pastrimin e ambientit në këto tri qytete, në mënyrë që të përçohet mesazhi i rëndësisë së një ambienti të pastër e ekologjik.
Veç kësaj, në Fushë Kosovë, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme të Lartë “Hivzi Sylejmani”, Al Trade Center përveç aktivitetit të pastrimit, gjithashtu ka përuruar edhe “Parkun e Paqes” – një hapësirë gjelbëruese të cilën e ka ndërtuar në oborrin e shkollës gjatë periudhës së pandemisë.
Në përurim të këtij parku ka marrë pjesë drejtori gjeneral i Al Trade Center, Sokol Gashani; drejtori i shkollës Amir Pllana; drejtori i DKA-së në Fushë Kosovë, Islam Shabani; nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi.
Në fjalimin e rastit, drejtori komunal Islam Shabani është shprehur i lumtur për iniciativën, duke theksuar rëndësinë e ambientit ekologjik dhe mesazhit që përçohet tek nxënësit sa i përket gjelbërimit.
Edhe Sokol Gashani ka treguar se ndihet shumë i lumtur për këtë bashkëpunim, duke lënë të nënkuptohet se kompania Al Trade Center vazhdimisht do të bëjë investime të tilla në të mirë të ambientit dhe qytetarëve.