Site icon Telegrafi

Al Nassr në bisedime të avancuara për ta emëruar në stol ish-trajnerin e Milanit

Cristiano Ronaldo raportohet se mund të stërvitet nga Stefano Pioli tek Al Nassr, pasi kalimi i ish-trajnerit të Milanit tek Al Ittihadi ka dështuar.

Në fillim të afatit kalimtar veror, Pioli dukej se ishte shumë afër kalimit tek Al Ittihadi pas shkarkimit nga Milani.

Marrëveshja e cila ishte fare pranë finalizimit, përfshinte një kontratë luksoze në vlerë prej 10 milionë eurosh në vit, së bashku me bonuset.

Sidoqoftë, teksa negociatat kishin avancuar, lëvizja dështoi papritur, gjë e cila lejoi Al Nassr që ta shfrytëzojë situatën.

Pioli tashmë është kandidati kryesor për të zëvendësuar Luis Castron, duke lënë mbrapa në garë kandidatë të tjerë si Sergio Conceicao.

Pozita e Castros tek klubi arab raportohet se ka qenë në rrezik serioz për shkak të rezultateve të përziera në këtë start të sezonit.

Al Nassr pësoi disfatë në finale të Superkupës ndaj rivalit Al Hilalit me rezultat të thellë 4-1, ndërsa lëshuan pikë edhe në ndeshjen hapëse të kampionatit ndaj Al Raed.

“Negociatat po vazhdojnë mes Al Nassr dhe Stefano Piolit si trajneri i ri. Bisedimet po vazhdojnë pasi dështoi marrëveshja me Al Ittihadin, ai është kandidati kryesor nëse Al Nassr vendos ta shkarkojë Luis Castron”, ka shkruar Fabrizio Romano në X.

Në rast se Pioli përfundon tek klubi arab kjo do të lehtësonte një barrë tejet të madhe financiare edhe për Milanin, pasi ‘Rossonerët’ janë të lidhur me kontratë me italianin deri në vitin 2025 dhe ai ka një pagë vjetore prej katër milionë eurosh./Telegrafi/

Exit mobile version