Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot për çështjen e impianteve të djegies së plehrave, të njohura si inceneratorë, duke e quajtur diskutimin në media dhe akuzat e opozitës si një tymnajë që do të marrë fund.
Në një përgjigje ndaj një komentuesit në rrjetin e tij social në Facebook, Rama thotë se akuzat për vjedhjet e miliona eurove janë “shpifësirë politike shifrash marramendëse”.
Ai ka shtuar se arrestimi i ish ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i akuzuar se ka marrë para nga një kompani e përfshirë në ndërtimit të inceneratorëve, është çështje përgjegjësie individuale para ligjit.
“Ato të ‘ashtuquajtura inceneratorë’ janë impiante moderne trajtimi të mbetjeve, të cilat janë investime të mëdha për të shpëtuar zona të tëra të banuara nga plehrat, ndërkohë që këtu s’ka asnjë shpikje për të grabitur paratë e tua, po ka një shpifësirë politike shifrash marramendëse e akuzat monstruoze, ndërkohë që gangrenat mjedisore të plehrave si puna e Sharrës janë mbyllur dhe retë toksike të tymit nga djegia e tyre në natyrë janë zhdukur!” është shprehur Rama.
“Është arrestuar një ish-ministër me akuzën për marrje parash nga kompania dhe për këtë drejtësia do të thotë fjalën e saj patjetër, por kjo është çështje përgjegjësie individuale para ligjit!” ka thënë Rama.
“Kurse të thuash që na qenkan vjedhur qindra miliona Euro, kur veprat janë aty e kur puna e bërë është para syve, e kur ato qindra miliona Euro nuk janë hiçasfare as ashtu e as aq sa thuhen, kjo është një tymnajë të cilën faktet reale dhe procesi i nisur nga organet reale hetimore, përtej farsës së shpifur të vulëhumburve politikë, do ta tresin njësoj si tymnajat e plehrave të Sharrës”, ka shkruar Kryeministri në Facebook.
Në Shqipëri po kryhen dy hetime paralele për dyshime mbi abuzime fondesh dhe korrupsion në ndërtimin dhe operimin e inceneratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. Hetimet por kryen nga një Komision Hetimor Parlamentar dhe nga Prokuroria e Posaçme, i njohur si SPAK. /Telegrafi/