Site icon Telegrafi

Akuzat e Ramës ndaj Britanisë, Berisha: Të papërgjegjshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka cilësuar të papërgjegjshme akuzat e Kryeministrit Edi Rama ndaj qeverisë britanike lidhur me emigrantët shqiptarë.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha renditi arsyet se pse shqiptarët po ikin duke shpopulluar sipas tij vendin.

“Në Britaninë e Madhe, në media, parlament dhe qeveri, ka shqetësime serioze për fluksin e paparë të refugjatëve që kalojnë Kanalin me shpresën e një jete më të mirë. Gjatë një viti, ky fluks ka mbërritur në 12 mijë, nga 800 që ishte në vitin 2021. Pa dyshim, kjo përbën një situatë serioze shqetësuese dhe polemika është e kuptueshme dhe e pashmangshme”, ka thënë Berisha.

“Duke mos u pajtuar me asnjë etiketim ndaj refugjatëve shqiptarë nga mediat dhe politikanët, PD falenderon mbretin Çarles për ndërhyrjen e tij, PD hedh poshtë dhe cilëson si të papërgjegjshme deklaratën e Edi Rramës ku fajëson autoritetet britanike, duke treguar me gisht konservatorët britanikë”, shtoi Berisha.

Sipas tij, shkaku kryesor i shpopullimit të Shqipërisë është korrupsioni i qeverisë dhe mungesa e votës së lirë. /Telegrafi/

Exit mobile version