Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi akuzoi deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arberie Nagavci se fjalimi i saj ishte jashtë rendit të ditës.
Sipas Gashit, ‘britmat’ e saj në diskutim ishin të panevojshme.
“Kolegia deputete ishte komplet jashtë rendit të ditës. Diskutimi i saj sado që të jetë i arsyeshëm dhe emocional është komplet jashtë rendit të ditës dhe nuk mundet me mbajt atë diskutim. Nëse kanë diçka shqetësuese, në emër të grupit parlamentar mund të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme. Ato britma ishin të panevojshme pasi ishin jashtë rendit të ditës. Prandaj dhe pati reagime nga deputetët pasi çështja nuk është për diskutim sot”, ka thënë Gashi.
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit të LVV-së, Rexhep Selimi i cili tha se nuk ishin britma por zëri i një deputeti në emër të qytetarëve.
“Ato nuk ishin britma koleg, ishte zëri i një deputeti në emër të qytetarëve. Britmat u panë dhe i keni pas shpinës tënde. Këto britma erdhën nga shpinat tuaja”, tha Selimi.
Por nga ana tjetër, Gashi u arsyetua duke thënë se nuk pati qëllim që të ofendoj askënd.
“Nuk pata qëllim që të ofendoj deputetët, por qëllimi është që të hyjmë në proces të rendit të ditës”, tha shkurt Gashi. /Telegrafi/