Site icon Telegrafi

Aktorët nga Kosova pretendojnë se janë keqtrajtuar nga policia shqiptare, reagon Balla: I keqardhur për publikimet në media

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla ka reaguar lidhur me pretendimet e aktorëve nga Kosova se janë keqtrajtuar nga Policia në Shqipëri, pasi u ndaluan në kuandër të një operacioni për kapjen e një sasie tritoli.

Përmes një njoftimi Balla shprehet se lidhur me pretendimet e aktorëve se janë dhunuar ka nisur një hetim nga AMP, ndërsa për pretendimet e tjera të tyre lidhur me vonesat apo arsyet e ndalimit, ministri i Brendshëm tha se janë të paarsyetuara.

Balla tha gjithashtu se ndjen keqardhje që nxitet keqkuptimi dhe hidhet baltë mbi Policinë e Shtetit, në një moment që sipas tij, operacioni u përmbyll me kapjen e 46 kg tritol.

Kujtojmë se aktorët nga Kosova pretendojnë se u ndaluan nga Policia teksa ishin rrugës për në Kosovë dhe janë mbajtur për rreth 10 orë.

“Kemi qenë në terr të plotë informativ. Nuk na e komunikonin pretekstin e ‘shoqërimit’. Por pastaj e kuptuam që duan të na lidhin me atë grupin e Gjilanit që u kap me tritol. Nuk donin t’i shihnin biletat e avionit, ku kuptohej që ne sa ishim kthyer nga Italia. Ata thjesht synonin që në konferencën për media të paralajmërojnë me pompozitet që ‘kanë qenë efikas’ dhe se kanë kapur tërë grupin e ‘kontrabandistëve kosovarë’. Prandaj na shantazhonin e na kërcënonin”, ka treguar për Koha.net një nga anëtarët e ekipit të shfaqjes, pa dashur t’i përmendej emri. Ata qëndruan në oborrin e Komisariatit të Kukësit do të qëndronin për rreth tri orë, e më pas u dërguan në Tiranë.

Sipas dëshmisë së njërit prej anëtarëve të grupit, ata kanë qëndruar në Komisariat me eksponentë të botës së krimit dhe janë trajtuar si kriminelë.

Aty mandej na kanë përplasë në dhoma me të ndaluar të tjerë, në kushte të tmerrshme higjienike e në të ftoftë ekstrem”, tha dramaturgu Jeton Neziraj në një njoftim për media.

Në njoftimin e Qendrës “Multimedia” për këtë rast tregohet se përfundimisht janë lënë të lirë në mëngjesin e së hënës (5 shkurt), pasi u sqarua se ishin arrestuar e mbajtur gabimisht.

Reagim i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:

Jam i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kg tritol. Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj:

“Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMW”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar L.P., i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMË” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë.

Lexo po ashtu Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, goditet grupi kriminal, tre të arrestuar nga Gjilani

Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”.

Për sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë. Faleminderit.  /Telegrafi/

 

Exit mobile version