Para një viti, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, si dhe burri i saj Alban Krasniqi, në profilet e tyre në Facebook kanë postuar një fotografi, ndërsa kanë akuzuar pjesëtarin e njësive ROSU, Amir Gërgurin.
Fjala është për protestën e 22 tetorit të vitit 2012, kur alivanoset dhe kalon në gjendje kome shtetasja gjermane, Iris Von Der Ehe, që ndërron jetë më 18 shtator 2015.
Haxhiu thotë se në këtë foto, Gërguri ka vënë këmbën mbi kokën e babait të saj 62-vjeçar.
“Krimet e tilla nuk vjetërsohen asnjëherë! Drejtësia njëherë do të triumfojë dhe do të mbahesh edhe ti përgjegjës!”, ka shkruar Haxhiu më 10 janar 2016.
Por, aktivisti i VV-së, Xhevat Sefaj, thotë për Telegrafin se në atë foto i shtrirë për toke është ai e jo babai i Haxhiut. Sefaj thotë se vjet nuk ka reaguar, pasi ka menduar se deputetja e VV-së ka rënë në lajthitje, ndërkaq shton se nuk ndihet mirë as pse burri i saj, Albani, e ka fshirë një koment që thotë se aty nuk ishte baballëku i tij.
“Reagoj sot sepse nuk më pëlqen që çdo meritë e sakrificë të përvetësohet nga disa krerë të VV-së”, thotë ai, duke shtuar se ka reaguar në postimin e vjetër të Haxhiut. /Telegrafi/