Site icon Telegrafi

Aksioni i Policisë në rajonin e Prizrenit për luftimin e fajdeve, vlera e përfitimit e të dyshuarve mbi 1 milion euro

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e së enjtes në Suharekë dhe Prizren që kishte të bënte me fajde.

Policia në raportin 24-orësh bën të ditur se gjatë operacionit policor është zbatuar urdhër-kontrolli i gjykatës në vendbanimet e personave të dyshuar ku janë sekuestruar 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, kontrata, para kontrata, të holla të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogarite bankare të personave të dyshuar

“Suharekë/Prizren 2023/2024. Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda me datë 31.10.2024 ka realizuar operacion të gjerë policor në regjionin e Prizrenit dhe të Suharekës në 6 lokacione të ndryshme, me ç’ rast ka arrestuar 6 persona të dyshuar meshkuj kosovarë për veprat penale të fajdesë dhe detyrimit”, thuhet në raport.

Sipas Policisë, të dyshuarit në këtë rast me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.

“Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Exit mobile version