Një aksion kundër mashtrimeve me kriptomonedha është zhvilluar në Tiranë këtë të hënë nga Krimi Kibernetik. Deri më tani, raportohet se 17 persona janë shoqëruar.
Autoritetet janë duke hetuar për përfshirjen e këtyre personave në skema mashtrimi që kanë të bëjnë me tregtimin dhe investimin e rremë në kriptomonedha, me qëllim përfitimin e paligjshëm.
Policia bën me dije se aksioni është ende në vijim e sipër dhe po shtrihet në Tiranë dhe Shkodër, ku janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe Shkodër.
“Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda speciale, po zhvillohet sot, operacioni policor i koduar “USDT-1”.
Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik së DPPSh-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër.
Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash.
Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët”, njofton policia.