Telegrafi

Aksioni “Brezovica 6” – arrestohen shtatë persona e bastisen 11 lokacione

Shtatë persona janë arrestuar mëngjesin e së mërkurës gjatë aksionit policor “Brezovica 6”.

Të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, ka konfirmuar për Telegrafin se gjatë këtij aksioni janë bastisur tetë lokacione në Prishtinë, dy në Podujevë dhe një në Fushë-Kosovë.

“Shtatë persona janë arrestuar, ndërsa janë bastisur 11 lokacione të ndryshme të lidhura me rastin; tetë lokacione në Prishtinë, dy në Podujevë dhe një në Fushë Kosovë. Një person nuk kemi arritur ta arrestojmë pasi që nuk e kemi gjetur aty”, ka thënë Maloku.

Zhvillimin e aksionit e ka konfirmuar për Telegrafin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Policia e Kosovës, konfirmon se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka vazhduar realizimin e operacionit policor “Brezovica 6”, ku informacionet dhe detajet rreth këtij operacioni, do të bëhen të ditura  pas përfundimit”, ka thënë ai. /Telegrafi/