Telegrafi

Aksion simbolik, vendoset një arkivol para Qeverisë, Policia arreston aktivistët e AAK-së

Të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë realizuar sot një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, duke e vendosur një arkivol, që sipas të rinjve të AAK-së, simbolizon varrosjen e premtimeve nga Qeveria Kurti.

Të rinjtë e AAK-së në arkivol kanë vendosur mbishkrime “Reciprociteti”, “Parimet”, “Premtimet”, “Taksa 100 për qind”, etj.

Pas këtij aksioni të të rinjve të AAK-së, ka reaguar kjo parti duke dënuar ashpër arrestimin e aktivistëve të tyre.

“Dënojmë ashpër aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjve të AAK-së, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë”, thuhet në reagim.

Sipas AAK-së, trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë Kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi”. /Telegrafi/