Një 17-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ndodhi në orët e hershme të së hënës në Prishtinë.
Sipas të dhënave të Policisë, aksidenti te rreth-rrotullimi ka ndodhur rreth orës 03:00, ku dyshohet se nga pakujdesia shoferi ka humbur kontrollin mbi veturë duke rënë poshtë nga ura në shiritat qarkullues Prishtinë – Fushë Kosovë, transmeton Telegrafi.
“Rruga Ismet Krasniqi, Prishtinë 14.08.2023 – 03:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar derisa ishte duke drejtuar veturën, dyshohet se nga pakujdesia ka humbur kontrollin mbi veturë, duke goditur rrethojat mbrojtëse në rreth-rrotullim, ku si pasojë ka rënë (nga ura) poshtë në shiritat qarkullues Prishtinë-Fushë Kosovë. Si pasojë, pasagjeri kosovar ka pësuar lëndime të rënda me ç’rast është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ku dhe ka ndërruar jetë. Lëndime trupore kanë pësuar edhe drejtuesi dhe pasagjerja femër kosovare”, bëhet e ditur në njoftimin e bërë nga Policia.
Ndërsa, nga QKUK njoftuan sot se 17-vjeçari nuk ka mundur t’i mbijetoj pasojave të lëndimit dhe i njëjti ka ndërruar jetë.
“Pacienti që është aksidentuar tek rreth-rrotullimi, te ne ka qenë një 17-vjeçar. Fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetoj pasojave të lëndimit dhe i njëjti ka ndërruar jetë rreth orës 22:00”, ka konfirmuar për Telegrafin, Shaqir Uka, shef i Intensives.
Ndryshe, numri i aksidenteve në komunikacion është rritur ditëve të fundit, ku brenda 24 orëve kanë ndodhur 100 aksidente, ku 26 prej tyre ishin me persona të lënduar.
Numër i madh i aksidenteve kanë ndodhur edhe gjatë muajit korrik. /Telegrafi/