Telegrafi

Aksident i rëndë në Kamenicë, humb jetën një polic

Një polic ka humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në fshatin Rogoqicë të komunës së Kamenicës.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai ka thënë se në aksident janë përfshirë dy vetura, një civile dhe një e Policisë së Kosovës.

“Ju informojmë se sot më datë 26.06.2023, në rreth orës 12:20 ka ndodhur një aksident trafiku te vendi i quajtur ,, Te Tyrbja” në fshatin Rogoqicë, komuna e Kamenicës, në mes të mjetit motorik katërrotësh të Policisë së Kosovës dhe një veture civile”, thotë ai.

Tutje, ai shtoi se në vend ngjarje kanë dal të gjitha njësitet relevante, të cilat janë duke u marrë me rast.

“Të lënduarit janë transportuar në Spitalin Rajonal. Nga spitali rajonal jemi njoftuar se njëri zyrtar policor i përfshirë në aksident ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident. Ndërsa një pjesëtar tjetër i Policisë së Kosovës që ka qenë bashkë në mjetin motorik i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore po trajtohet në qendrën rajonale emergjente në Gjilan”. /Telegrafi/